Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot seancë dëgjimore me Sindikatat e Arsimit, lidhur me çështjen e testimit të mësuesve.

  • Postuar më, 02/02/2015

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi sot seancë dëgjimore  me Sindikatat e Arsimit, lidhur me çështjen e testimit të mësuesve. Të pranishëm ishin z. Xhafer Drobrusha, kryetar i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe të Shkencës së Shqipërisë, z. Nevruz Kaptelli, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Arsimtarëve, z, Kol Nikolla, kryetar i Konfederatës së Shqipërisë. Federata e Sindikatës së Arsimit shprehu rezerva për testin e ardhshëm të mësuesve, atë të muajit maj, duke e cilësuar të jashtëligjshëm dhe të pa dobishëm. Z. Xhafer  Dobrusha tha se, testimi jo vetëm që nuk është forma reale, për të pasqyruar gjendjen reale të mësuesve, por hedh poshtë edhe provimin e shtetit. Shumica e anëtarëve në komision thanë se testi ishte një hap i diktuar nga një situatë emergjente e krijuar pas alarmit të dhënë për rreth dy mijë mësues, pa profilin përkatës. “A do merremi vetëm me këtë mbështjellëse dhe do shohim dhe se çfarë ka brenda kjo kuti, se mund të ketë brenda edhe ar edhe diamant, por mund të ketë edhe zhavorr dhe nuk bën vaki që forma të jetë shumë më e rëndësishme se përmbajtja”, tha znj Ledi Shamku, anëtare e këtij komisioni. Deputetja e LSI-së, Miranda Rira kritikoi situatën në arsim gjatë tetë viteve të qeverisë së mëparshme, duke u shprehur se janë lënë pas dore mësues profesionistë, duke u zëvendësuar me militantë. “Ka mësues që enden rrugëve, se sistemi i mëparshëm i ka hedhur në rrugë edhe pse kanë eksperiencë 20 vjeçare dhe kanë qenë mësues të shkëlqyer, ndërkohë që vendet e tyre janë zënë nga mësues me arsim tre-vjeçar”, tha znj. Rira.

Z. Myqerem Tafaj tha se në vitin 2005, në arsim kishte mbi 13 mijë mësues me arsim të mesëm, ndërsa në vitin 2013 ishin 5500. "Në vitin 2004-2005, në arsim kishte 13.600 mësues me arsim të mesëm, ndërsa në vitin në vitin 2012-2013 ishin 5500 mësues me arsim të mesëm. Kjo gjë tregon se ligji i ka të gjitha mekanizmat për të parë përbërjen e mësuesve; janë mekanizmat për të ditur se çfarë i mungon mësuesit", tha z. Tafaj. Kryetari i Federatës së Arsimit, z. Dobrusha bëri të ditur se Ministria e Arsimit, ka vendosur që të mos përfshijë në testimin e ardhshëm mësuesit me përvojë mbi 20-vjeçare, ndonëse kërkesa e tij është që ky testim të mos bëhet për asnjë mësues, pavarësisht nga vitet e punës.


Share