Komisioni për Integrimin Europian miratoi një marrëveshje financiare

  • Postuar më, 28/01/2015

Komisioni për Integrimin Europian miratoi me unanimitet projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së Programit,ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qendrës së Konfederatës Zviceriane, për grantin e asistencës financiare për Programin Infrastrukturës Bashkiake III/IV” (Berat, Kuçovë, Gjirokastër, Kamzë, Lushnjë, Delvinë, Librazhd, kontributi Zvicerian”. Objektivi i përgjithshëm i programit është sigurimi i shërbimit të qëndrueshëm dhe financiarisht të përballueshëm të furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të përdorura për rreth 400 000 qytetarë të cilët jetojnë në qytetet e Beratit, Kuçovës, Gjirokastrës, Kamzës, 1Lushnjës, Delvinës, Librazhdit, si dhe përmirësimi i treguesve të performancës për shoqëritë e ujësjellës - kanalizimeve të këtyre bashkive. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Milbana Treska bëri edhe një prezantim të projektit. “Në kuadër ta marrëveshjes financiare që do të sigurohet edhe nga granti KWF, Konfederata Zvicerane parashikon 11.6 milionë euro mbështetje financiare e cila do të sigurojë konsulencën dhe teknike edhe atë të menaxheriale sa i përket menaxhimit të ndërmarrjeve. Është një pikë e rëndësishme që Ministria e Financave e ka shprehur për të ngritur në një shkallë më të lartë aftësinë e ndërmarrjeve të ujësjellësave për të bërë të mundur analizat financiare të këtyre ndërmarrjeve dhe për t’i mbështetur”, tha znj. Treska. Deputeti Taulant Balla tha se: “Dua të them një lloj falenderimi për qeverinë zvicerane për përfshirjen në këtë projekt ku sigurisht në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane përmes KFË-së, bëhet një mbështetje direkt për 400 mijë banorët e këtyre qyteteve. Sigurisht projekti është i fokusuar në infrastrukturën e ujësjellësave të këtyre qyteteve. Po të kemi problematikën që kanë shumica prej tyre, si Berati, Kamza, Librazhdi, sigurisht që është e domosdoshme që kjo marrëveshje të kalojë menjëherë në parlament dhe më pas të implementohet”. Kryetarja e Komisionit, Majlinda Bregu kërkoi raportimin e institucioneve shtetërore para anëtarëve të Komisionit për Integrimin Europian për implementimin e projekteve që janë jo vetëm grant, por edhe pjesë e paketës financiare të IPA-s.

 


Share