Komisioni për Integrimin Evropian dhe Komisioni për Politikën e Jashtme miratuan në parim projektbuxhetin e shtetit për vitin 2018, të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme

  • Postuar më, 08/06/2018

8 nëntor 2017

Komisioni për Integrimin Evropian dhe Komisioni për Politikën e Jashtme miratuan në parim  projektbuxhetin e  shtetit për vitin 2018, të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financës  dhe Ministri  për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati, i cili tha se prioriteti kryesor i qeverisë dhe institucionit që drejton, është hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Gjatë  prezantimit të tij, z. Bushati  u shpreh se buxheti i MEPJ është rreth 2.9 miliardë lekë dhe krahasuar me 2017, ka një rritje në vlerë absolute me 0.74 %.

“Sa i përket organikës së institucionit, do të jetë me rreth 551 punonjës, nga të cilët 356 janë në përfaqësi dhe 195 në institucionin tonë me status miks, ku siç dihet, një pjesë e mirë operojnë, trajtohen dhe paguhen sipas gradave diplomatike që kanë. Po me këtë buxhet, ne do të kemi mundësi të vazhdojmë pjesë të ndryshme të rikonstruksionit të godinës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Jemi në fazën e mbylljes së bibliotekës, duke qenë se arkiva dhe biblioteka janë ndër dy asetet më të çmueshme të kësaj ministrie”, – u shpreh z. Bushati.

Një pikë tjetër e rëndësishme, tha z. Bushati, është përmirësimi i mëtejshëm i shërbimit konsullor, ku  janë ndërmarrë hapa të caktuar proceduriale,  ku aplikimi mund të bëhet online.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati, vuri në dukje dhe marrëdhënien e zgjeruar me Kosovën, “duke qenë se na ndajnë vetëm pak ditë nga mbledhja e katërt e përbashkët e dy Qeverive”. Sipas z. Bushati, ka të paktën dy vjet që ka filluar procesi i racionalizimit të prezencës tonë së bashku me Kosovën, qoftë përmes përfaqësive të përbashkëta konsullore në Milano, në Munih dhe në Bari.

“Pikë tjetër me shumë rëndësi për vitin  tjetër, është procesi i regjistrimit të shtetasve shqiptarë jashtë atdheut, e lidhur ngushtë me një zotim tonin për sa i përket reformës zgjedhore dhe mundësisë që shtetasit tanë jashtë atdheut të marrin pjesë në procesin e votimit. Zbatimi i këtij projekti ka rëndësi, në radhë të parë për identifikim e shtetasve shqiptare jashtë atudheut dhe për të garantuar shërbimet për ta, kudo ata ndodhen”, – sqaroi ministri z. Bushati.

Sa i takon, ristrukturimit të Ministrisë së Integrimit Evropian dhe krijimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Bushati theskoi se “jemi në një proces rakordomi edhe për një asistencë tjetër teknike,  që  do të jetë një kontribut i shtuar në funksion të përmbushjes së objektivave që ka ministria dhe në instanca më të larta shtetërore, të cilat kanë një zë më të veçantë në procesin e bashkërendimit të ndihmës së huaj.

Pas prezantimit të bërë, ministri z. Bushati i’u përgjigj të gjitha pyetjeve të anëtarëve të komisionit.a


Share