Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në tërësi dy projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 06/07/2018

6 Korrik 2018

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në tërësi dy projektligje të rëndësishme, “Për ratifikimin e memorandumit të qëllimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për instalimin dhe përdorimin e Sistemit për Krahasimin dhe Vlerësimin e Sigurt të Identifikimit Personal (PISCES), dhe projektligjin “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, për zbatimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, për ri pranimin e personave me qëndrim të paautorizuar”.

 Të ftuar në mbledhjen e Komisionit ishin zëvendësministrja e Punëve të  Brendshme znj.Rovena Hoda, përfaqësues nga Policia e Shtetit dhe përfaqësues nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në prezantim për projektligjin e parë “Për ratifikimin e memorandumit të qëllimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për instalimin dhe përdorimin e Sistemit për Krahasimin dhe Vlerësimin e Sigurt të Identifikimit Personal (PISCES)”,  znj.Hoda u shpreh se : “Projekt akti ka për qëllim ratifikimin e memorandumit të qëllimit ndërmjet qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë shqiptare për instalimin e sistemit të vlerësimit të sigurt të të dhënave. Në fakt ky është një sistem, i cili do të implementohet dhe do të mirëmbahet me suportin dhe ndihëm e qeverisë amerikane dhe do të instalohet nëpër pikat kufitare sipas marrëveshjeve të përbashkëta të dy vendeve”.

Pas prezantimit, komenteve dhe pyetjeve, ky projektligj u shqyrtua nen për nen dhe u miratua në parim nga anëtarët e komisionit.

Sa i përket projektligjit të dytë “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, për zbatimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, për ri pranimin e personave me qëndrim të paautorizuar” , kryetarja e këtij komisioni znj.Ermonela Felaj u shpreh se janë dy marrëveshje të favorshme sa i përket sigurisë kombëtare, ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Pas diskutimeve dhe shqyrtimit nen për ne, ky projektligj u miratua në tërësi.


Share