Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8331, datë 21.4.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, i ndryshuar.

  • Postuar më, 25/09/2018


E ftuar në komision për të prezantuar ndryshimet në këtë ligj ishte  Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Vasilika Hysi, Drejtor i Shërbimit të Provës z. Ëngjëll Hysi dhe  Drejtor Juridik  i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve z. Erjon Semani.


Fillimisht, kryetarja  komisioni, znj. Ermonela Felaj tha se projekti është pjesë e paketës së ligjeve të Reformës në Drejtësi. Sipas znj. Felaj ligji nuk lidhet vetëm me punë e Shërbimit të Provës, por edhe me punë e Organit të Prokurorisë.


Gjatë fjalës së saj, zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Vasilika Hysi  u shpreh se kjo nismë është një produkt i  eksperteve të nivelit të lartë.

“ Ky ligj ishte paketë me ligjin për shërbimin e provës që nuk ishte pjesë e punës së grupit të   ekspertëve të nivelit të lartë të Reformës në Drejtësi, por ishte nismë e qeverisë, por njëkohësisht edhe me projektligjin “Për shtesa dhe ndryshime në ligjin për  të drejtat dhe trajtimin e personave të paraburgosur dhe të dënuar”, i cili ende nuk ka  ardhur  për diskutim. Të tre projektligjet kanë ndikim dhe janë të lidhur organikisht me njëri-tjetrin”, nënvizoi znj. Hysi

Në analizën e bërë nga znj. Hysi u parashtuan disa nga problematikat që janë konstatuar në praktikë : “Së pari, ka të bëjë me  njoftimin e  të dënuarve, të cilët janë hetuar në gjendje të lirë dhe duhet bërë ekzekutimi vullnetar i tyre. Praktika ka hasur një sërë problemesh në paraqitjen e tyre për të filluar vuajtjen e dënimit. Së dyti, ka të bëjë me personat që kanë mase arresti në shtëpi. Vështirësia që haset në mbikëqyrjen e personave, për mënyrën e kontrollit të tyre, me qëllim që ne fund të ketë një politikë penale të aplikuar nga gjykata sa më të drejtë. Së  treti, ka të bëjë me rolin që luan shërbimi i provës në mbikëqyrjen e masës së sigurimit arrest në shtëpi, e cila nuk ka qenë e qartë,  duke pasur parasysh që shërbimi i provës është shërbim i ri, i krijuar në 2009 dhe deri më sot rregullohet me një vendim të KM dhe projektligji ende nuk është miratuar në Kuvend. Së  katërti, koha e fillimit të vuajtjes së dënimeve alternative, pra kërkohet një mbikëqyrje jo thjesht për të vlerësuar sjelljen e tij, por për të parandaluar ripërtëritjen e krimit. Këto probleme të vëna në dukje në dokumentin e sistemit të drejtësisë janë pasqyruar në projektligj.”


Ndërsa, Drejtor i Shërbimit të Provës z. Ëngjëll Hysi i paraqiti komisionit disa amendime. Gjithashtu dhe Drejtor Juridik  i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve z. Erjon Semani theksoi se të gjitha ndryshimet e bëra ndikojnë në mbarëvajtjen e punës së institucionit që përfaqëson.    


Anëtarët e komisionit vlerësuan punën e kryer nga  znj. Hysi, e cila ka ushtruar të drejtën e saj Kushtetuese dhe me pas  e shqyrtuan nen për nen ligjin në fjalë dhe e miratuan atë në parim. 


Share