Deputetët e dy komisioneve parlamentare vizitojnë pikën doganore të Qafë-Thanës

  • Postuar më, 02/10/2018

2 tetor 2018

 

Deputetë të komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare dhe deputetët e komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, dhe kryetarët e komisioneve përkatëse, znj. Ermonela Felaj dhe z. Eduart Shalsi, vizituan sot pikën e kalimit kufitar të Qafë -Thanës dhe Qendrën e përbashkët për Shërbim Informacioni. Kjo vizitë është në kuadër të disa takimeve që komisioni parlamentar  i Sigurisë, me mbështetjen e prezencës së OSBE-së, do të zhvillojnë edhe në pika të tjera të kalimit kufitar dhe port/aeroporte brenda këtij sesioni parlamentar. Deputetët panë nga afër punën e personelit, morën informacion të dorës së parë për procedurat dhe diskutuan për vështirësitë dhe sfidat që duhen adresuar për të ardhmen. Kryetari i degës doganore të Pikës Kufitare të Qafë-Thanës, z. Gentian Berberi, bëri një prezantim të punës, duke njohur parlamentarët me arritjet dhe problematikat, që hasnin në punën e tyre. Ndërsa z. Arben Jaca, drejtor vendor për Kufirin dhe migracionin në Korçë, i informoi  deputetët mbi problematikën e policisë kufitare në lidhje me shërbimin, bashkëpunimin në luftën kundër trafiqeve dhe kondrabandës. Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, znj. Ermonela Felaj u kërkoi të pranishmëve në takim, që të parashtrojnë nevojat që kanë si staf pune, në mënyrë që kur të diksutohet buxheti të zhvillohen dëgjesa me departamenet e emigracionit dhe të kufirit. Deputeti i Komisionit të Verprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, z. Ilir Beqja, shprehu interes në lidhje me sigurinë e ushqimeve, duke kërkuar informacion më të detajuar. Pas takimit me drejtuesit  e  policisë doganore, deputetët zhvilluan një takim të shkurtër me drejtorin e Policisë Kufitare të Ohrit, z. Xhelal Lata, i cili i njohu parlamentarët shqiptarë me mjediset e punës të kësaj pike kufitare. Në përfundim të këtij takimi, deputetët vazhduan agjendën në Prespë, ku u mbajt forumi "Bashkëpunimi ndër-institucional kundër krimit mjedisor".


Share