Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi dy projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 22/10/2018

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Zogaj (Republika e Shqipërisë) – Skje (Mali i Zi) për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në Liqenin e Shkodrës” dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për bashkëpunimin e zbatimit të ligjit, mbi vendosjen e oficerit ndërlidhës të Europol-it”.

Të ftuar për projektligjin e parë “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Zogaj (Republika e Shqipërisë) – Skje (Mali i Zi) për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në Liqenin e Shkodrës”,  ishin zëvendësministrja e Brendshme znj. Rovena Voda dhe përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie.

Në fjalën e saj znj. Voda u shpreh: “Kjo pikë do të jetë në anën e liqenit të Shkodrës, është një kërkesë edhe e banorëve shqiptare që ndodhen në anën e malësisë së Tivarit, pra në pjesën e Malit të Zi. Pasi u bë një vlerësim edhe nga strukturat e policisë kufitare të emigracionit, u pa me vënd që edhe për të përmirësuar dhe lehtësuar qarkullimin e pasagjerëve dhe mallrave, por kjo do të ndikojë edhe në zhvillimin e turizmit në zonën e liqenit të Shkodrës.”

Relatori i këtij projektligji z. Luan Harusha tha se marrëveshja është iniciuar në kuadër të forcimit të bashkëpunimit midis dy shteteve dhe për të krijuar kushte sa më të mira për zhvillimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, në kuadër të lehtësimit të qarkullimit në pikën e përbashkët kufitare, duke marrë masa të përbashkëta.

Në fund të diskutimeve mes deputetëve dhe të ftuarve, në cilësinë e komisionit përgjegjës, komisioni për Sigurinë Kombëtare e miratoi këtë projektligj nen për nen dhe në tërësi.

Sa i përket projektligjit të dytë, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për bashkëpunimin e zbatimit të ligjit, mbi vendosjen e oficerit ndërlidhës të Europol-it”, të ftuar ishin zëvendësministri i Brëndshëm z. Besfort Ramallari dhe Krye komisar Shkëlzen REXHEPI shefi i zyrës kombëtare të EUROPOL-it.

Në prezantim të këtij projektligji, z. Ramallari u shpreh se “Është një nismë shumë e rëndësishme e cila pritet edhe nga ana e EUROPOL-it të implementohet sa më shpejtë. Janë trajtuar edhe çështjet përsa i përket imuniteteve, privilegjeve dhe përjashtimit nga detyrimet doganore etj. Eksperti do të vendoset në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit e cila mbart edhe detyrimet për akomodimin etj.”

Relatori i këtij projektligji z. Xhemal Qefalia tha se “Kjo marrëveshje ka për qëllim vendosjen e një oficeri kontakti me zyrë në Tiranë. Vendosja e këtij oficeri ka për qëllim të rrisë bashkëpunimin evropian të zbatimit të ligjit të Europol në vendin tonë dhe do ketë akses më të shpejtë dhe teknikisht për të pasur akses të drejtpërdrejtë të të gjitha të dhënave të grumbulluara.”

Pas diskutimeve, ky projektligj u vonua nen për nen dhe në tërësi.

Gjithashtu të dy projektligjet u diskutuan edhe në komisionin për Politikën e Jashtme, ku në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi u miratuan nen për nen dhe në tërësi nga anëtarët e komisionit.

Komisioni për politikën e Jashtme miratoi nën për nen dhe në tërësi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Mali i Zi - Shqipëri, alokimet e vitit 2016”, të cilin e prezantoi në mbledhjen e sotme të komisionit, zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Genti Cakja.

 

 


Share