Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi një vizitë në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD)

  • Postuar më, 24/10/2018

Komisioni për Sigurinë Kombëtare, zhvilloi një vizitë informuese/njohëse pranë ambienteve të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD)

Anëtarët e komisionit u pritën nga drejtori i qendrës z. Zyber Dushku i cili shprehu mirënjohjen e tij për këtë vizitë.

Z. Dushku bëri një prezantim të shkurtër mbi punën e QNOD-së, misionin, përgjegjësitë, strukturën dhe institucionet me të cilat kjo qendër bashkëpunon. Ai u shpreh se QNOD është një institucion ndërdikasterial që ka për detyrë të sigurojë vëzhgimin e hapësirës detare shqiptare, për të realizuar organizimin, planëzimin, bashkërendimin dhe drejtimin e operacioneve në det në përputhje me legjislacionin detar kombëtar dhe ndërkombëtar.

Më tej z. Dushku theksoi se misioni i Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD) është bashkëpunimi dhe koordinimi i të gjithë institucioneve përgjegjëse që kanë interesa në det, me qëllim monitorimin e hapësirës detare, manaxhimin dhe kontrollin e kufijve, sigurimin e jetës në det, mbrojtjes së mjedisit nëpërmjet organizimit, planëzimin, koordinimit dhe drejtimit të të gjitha operacioneve detare, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar, nëpërmjet përdorimit të kapaciteteve operacionale në mënyrë të integruar, me efektivitet dhe me kosto të ulët.

QNOD është institucion kombëtar që garanton ushtrimin e sovranitetit dhe të drejtave sovrane të shtetit shqiptar në hapësirën detare nëpërmjet menaxhimit të integruar të burimeve kombëtare të institucioneve që kanë përgjegjësi dhe interesa në det. Të gjitha institucionet, pjesëmarrëse në QNOD, deklarojnë asetet dhe kapacitetet e tyre operacionale në dispozicion të QNOD-së.

Pas prezantimit, kryetarja e Komisionit të Sigurisë znj. Ermonela Felaj u kërkoi të pranishmëve në takim që të parashtrojnë nevojat dhe problematikat që kanë si staf pune, në mënyrë që kur të diksutohet projektbuxheti për vitin 2019 të zhvillohen dëgjesa me institucionet përgjegjëse në mënyrë që këto problematika dhe nevoja të adresohen drejtë.


Midis të pranishmëve pati diskutime dhe pyetje të ndryshme për të kuptuar më shumë rreth punës se QNOD-së.

 


Share