Deputetë të komisionit për Sigurinë Kombëtare zhvilluan një vizitë në Komandën e Forcave Detare, Durrës

  • Postuar më, 30/10/2018

30 tetor 2018

 

Deputetë të komisionit për Sigurinë Kombëtare, në drejtimin e kryetares së komisionit, znj. Ermonela Felaj, zhvilluan ditën e sotme një vizitë zyrtare në mjediset e Komandës së Forcës Detare, Durrës. Gjeneralmajor Ylber Dogjani dhe përfaqësues të tjerë të lartë të Komandës, njohën deputetët me disa të dhëna mbi Forcën Detare, historikun, misionin, detyrat, organizimin, prioritetet e zhvillimit dhe problematikat e sektorit.

Deputetët e komisionit për Sigurinë Kombëtare, përmes pyetjeve, kërkuan të njihen dhe informohen mbi çështje të caktuara që lidhen me fushën e veprimtarisë së Komandës Detare. Znj. Felaj e konsideroi të vlefshme dhe të nevojshme këtë vizitë, duke e përqëndruar bisedën edhe në çështje të buxhetit, në prag të fillimit të shqyrtimit parlamentar të projektligjit të buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm.

Deputetët pjesëmarrës ishin znj. Ermonela Felaj Likaj, z. Sadi Vorpsi, znj. Klodiana Spahiu, znj. Elona Gjebrea, z. Anduel Xhindi, z. Vullnet Sinaj dhe z. Luan Arusha. Vizita e deputetëve në këtë institucion ishte në vijim të një serie takimesh të ngjashme, me karakter njohës/informues, në funksion të ushtrimit të kompetencave lidhur me ndjekjen e zbatimit të ligjshmërisë si nga ana e minsitrive dhe organeve të tjera qendrore si dhe kontrollin e veprimtarisë së tyre. 


Share