Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi seancë dëgjimore për nevojat buxhetore të dy institucioneve të tjera

  • Postuar më, 14/11/2018

14 nëntor 2018

Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në drejtimin e kryetares, znj. Ermonela Felaj Valikaj, në vijim të seancave dëgjimore për projektbuxhetin e vitit 2019, zhvilloi sot dëgjesë me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Gardën e Republikës. Të pranishëm në komision ishin z. Stefan Çipa, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve dhe gjeneral Gramos Sako, komandant i Gardës së Republikës.

Z. Stefan Çipa, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, listoi investimet dhe arritjet institucionale përgjatë vitit 2018, duke e vënë theksin në dy institucionet e reja të ekzekutimit të veprave penale, katër rikonstruksionet e kryera në godina, ecurinë e planit të pajisjes me uniforma të policisë së burgjeve dhe ndërtimin e sallës operative për ndalimin e valëve telefonike të burgjeve të sigurisë së lartë. Z. Çipa njoftoi komisionin për nevojën e institucionit që drejton për një shtim numri punonjësish në organikë, përkatësisht 216 punonjës, nga të cilët Ministria e Financave ka parashikuar vetëm rritjen me 71 punonjës. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve u ndal edhe te nevoja për unifikim pagash të punonjësve të policisë së burgjeve me Policinë e Shtetit. Me rëndësi, në raportimin e z. Stefan Çipa, ishin edhe lënia jashtë vëmendjes e rritjes së pagave në bazë page e funksioni për policinë e burgjeve dhe niveli i ulët i kategorisë së pagave për mjekët e burgjeve, problematikë kjo që shoqërohet me largime të mjekëve. Drejtori Çipa paraqiti kërkesat e tij edhe për zërat e shpenzimet operative dhe investimet kapitale, duke kërkuar mbështetjen e komisionit. Deputetët e pranishëm në mbledhje, për çështjet që konsideronin të rëndësishme, shtruan diskutime dhe pyetje për drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Gjeneral Gramos Sako, komandanti i Gardës së Republikës, i parashtroi komisionit kërkesat lidhur me nevojat buxhetore të institucionit që drejton. Z. Sako e vuri theksin të nevoja për një trajtim financiar ndryshe të punonjësve të Gardës së Republikës. Sipas komandantit të Gardës, që nga viti 2012, institucioni i tij ka njohur vetëm dy rritje pagash, në vlera të pandjeshme. Z. Sako ngriti gjithashtu problemin e ligjit aktual të gardës, që nuk e trajton me shtesë page vjetërsinë në punë. Gjeneral Sako u shpreh se projektligji i ri e eleminon këtë mangësi. Në fjalën e tij, z. Gramos Sako kërkoi njësim të nivelit të pagave të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit. Z. Sako përmendi edhe trajtimin me ushqim si nevojë kryesore të Gardës së Republikës. Deputetët e komisionit shtruan diskutimet dhe pyetjet e tyre për çështjet me interes për ata.  

Komisioni për Çështjet e Sigurisë Kombëtare do të hartojë një raport, që do të reflektojë disa prej kërkesave kryesore të paraqitura nga dy institucionet e dëgjesës së sotme, për t’ia paraqitur më pas Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. 


Share