Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi seancë dëgjimore, për veprimtarinë një-vjeçare të AMA-s, për vitin 2018.

  • Postuar më, 01/04/2019


I ftuar në komision për të prezantuar raportit për veprimtarinë një-vjeçare të AMA-s, për vitin 2018,  ishte kreu i këtij institucioni, z. Genti Sala.

Z. Sala u shpreh se Autoriteti i Mediave Audiovizive, gjatë vitit 2018 ka punuar  maksimalisht për realizimin e detyrave dhe funksioneve institucionale, si një rregullator eficent dhe i pavarur, për të ndikuar në konkurrencën e lirë dhe të ndershme të operatorëve në tregun audioviziv.

Sipas tij, Autoriteti është angazhuar tek procesi i digjitalizimit të transmetimeve audiovizive. Aktualisht, tha  z. Sala  janë mbyllur transmetimet analoge në tre qarqe të vendit: Berat, Fier Korçë, dhe këtë vit do të mbyllen transmetimet analoge edhe në qarqet: Tiranë, Durrës,Vlorë.

Ajo që vuri në dukje z. Sala ishte fakti se  rreth 90 % e popullsisë kanë sinjal analog dhe në zonat ku është prezent ky sinjali ka 3-fishim të numrit të programeve që transmetohen pa pagesë.

“Sot, sinjali numerik në zonat ku është mbyllur procesi, shikohet nga 30 % e popullsisë dhe në zonat urbane Tiranë, Durrës, ky numër është akoma edhe më i lartë. Mund të themi se në Greqi, Maqedoni, ky numër është më pak se 5%. Edhe pse kemi kompani shumë të forta private që ofrojnë shërbime me pagesë, ne jemi përpjekur që numri i  qytetarëve, që shikojnë pa pagesë të jetë më i lartë dhe kjo gjë është garantuar”, tha ai.

Kreu i AMA-s, u shpreh  se për herë parë, në shtator të vitit të kaluar tregu audioviziv shqiptar arriti mbylljen e të gjithë transmetimeve të paligjshme, analoge dhe numerike.

Sakaq, z. Sala theksoi se një ndër detyrat kryesore të AMA-s  është programacioni. “Vitin e kaluar janë realizuar shqyrtime tematike për vlerësimin e përputhshmërisë ligjore dhe zbatimit të Kodit të Transmetimit, me fokus të veçantë  tek mbrojtja e fëmijëve në transmetimet analoge; reklamat dhe komunikimet tregtare; programet audiovizive me karakter informimin mbi shëndetin dhe përdorimin e medikamenteve; respektimi i standardeve të shqipes së folur dhe të shkruar; përmbajtjet e dëmshme me dhunë, pornografi apo përdorim të substancave narkotike në kanalet e profilit muzikor, një shqetësim, i cili ka ardhur në rritje”, përfundoi z. Sala.

Në fjalën e tij, relatori, z.Musa Ulqini tha se raporti respekton detyrimet ligjore dhe jep përgjigje kërkesave të ligjit, për aktivitetin një vjeçar të AMA-s.

Z. Ulqini nënvizoi faktin se për herë të parë AMA, krijoi kushte për të mbuluar të gjithë territorin e Shqipërisë, me internet të cilësisë së lartë; realizimin e tryezave me fokus të veçantë mbrojtjen ndaj gazetarëve; nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Autoritetin e Konkurrencës, Policisë së Shtetit, etj, duke i dhënë një fuqi të madhe aktivitetit të institucionit.

Mbledhja vijoi me diskutime, lidhur me çështje të ndryshme, për institucionin e AMA-s.

 

 


Share