Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi projektrezolutat, për vlerësimin e veprimtarisë për vitin 2018, të dy institucioneve AMA-s dhe RTSH-së.

  • Postuar më, 16/04/2019

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u mblodh sot për të diskutuar dhe miratuar projektrezolutat, për vlerësimin e veprimtarisë për vitin 2018, të dy institucioneve AMA-s dhe RTSH-së.

Relatori i këtyre dy çështjeve z.Musa Ulqini, i njohu anëtarët e Komisionit me përmbajtjen e projektrezolutave, të cilat pasqyrojnë të dhënat e raportuara për aktivitetin e AMA-s e RTSH-së, si dhe çështjet e diskutuara në seancat dëgjimore të zhvilluara me krerët e këtyre institucioneve.

Veprimtaria e AMA-s për vitin 2018, ka ndikuar ndjeshëm në ecurinë e procesit të digjitalizimit; zbatimin e Kodit të Transmetimit, me fokus të veçantë mbrojtjen e fëmijëve, reklamat dhe komunikimet tregtare, programet audiovizive me karakter informimi për shëndetin etj; mbylljen, për herë të parë, e të gjitha transmetimeve të paligjshme audiovizive numerike, analoge; lirimin e brezit 790-862 MHz ose ndryshe 800 MHz, si një hap i rëndësishëm, i cili i hap rrugë futjes së teknologjive dhe shërbimeve të reja broadband mobile në nivel kombëtar, nënshkrimin e memorandumeve të mirëkuptimit ndërmjet AMA-s dhe disa institucioneve, në mënyrë të veçantë me Autoritetin e Konkurrencës.

Veprimtaria e RTSH-së gjatë vitit 2018 rezulton në progres të realizimit të shërbimeve cilësore të radios dhe televizionit për të informuar, edukuar dhe argëtuar publikun, duke i shërbyer qytetarëve, të gjitha grupeve të shoqërisë, përfshirë dhe pakicat kombëtare. Për vitin 2018, veprimtaria e RTSH-së është kryer në përputhje të plotë me detyrimin për të pasur nga ana e saj një mbulim të paanshëm të lajmeve të vendit dhe të atyre ndërkombëtare si dhe për të realizuar programe cilësore të cilat pasqyrojnë tek dëgjuesit dhe shikuesit e të gjitha moshave larminë e jetës shqiptare.

Pjesë e rëndësishme e projektrezolutave janë dhe vlerësimet për veprimtarinë gjatë vitit 2018, si dhe rekomandimet përkatëse për vitin 2019, për të dy institucionet.

Në përfundim të mbledhjes, Komisioni i miratoi projektrezolutat dhe ia kaloi për miratim seancës plenare.

 


Share