Komisioni për Integrimit Europian zhvilloi mbledhjen, me objekt shqyrtimin e Raportit vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, për vitin 2018.

  • Postuar më, 28/05/2019

Veprimtaria vjetore e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian u prezantua nga z. Taulant Balla, Zv. Kryetar i Këshillit. Në fjalën e tij, z. Balla u shpreh se Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, bazuar në misionin e tij gjithëpërfshirës, i ka kushtuar vëmendje rolit të rëndësishëm që luan në drejtim të garantimit të bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike dhe institucioneve publike, dhe veçanërisht bashkëpunimit me shoqërinë civile, botën akademike dhe të gjitha grupet e interesit. Për këtë qëllim janë marrë në shqyrtim dokumente të rëndësishme strategjike me synim diskutimin dhe mbikëqyrjen e detyrimeve dhe reformave të nevojshme në kuadër të hapjes së negociatave të anëtarësimit.

Gjithashtu, gjatë vitit 2018 një vëmendje e shtuar i është kushtuar forcimit të kapaciteteve të të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin e integrimit (përfaqësues të administratës publike dhe asaj vendore, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të medias dhe përfaqësues të biznesit), mbi detyrimet dhe sfidat që përfshin anëtarësimi në BE.

Z. Balla shprehu bindjen, që veprimtaria e Këshillit gjatë vitit 2019 do të reflektojë sfidat e momentit shumë të rëndësishëm të procesit të integrimit duke u kthyer në një forum dialogu e konsultimi gjithëpërfshirës në mbështetje të avancimit të axhendës europiane të vendit.

Në mbështetje të veprimtarisë së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian dhe me qëllim inkurajimin e intensifikimit të mëtejshëm të rolit të tij, si një forum kombëtar gjithëpërfshirës për çështjet e integrimit europian, Komisioni shqyrtoi dhe miratoi një Projekt- Rezolutë.


Share