Komisioni për Integrimin Europian miratoi ne parim nje projekt-rezolute dhe dy projektligje

  • Postuar më, 01/10/2019

Në drejtimin e kryetares, znj. Rudina Hajdari, komisioni për Integrimin Europian,  mori në shqyrtim dhe miratoi në parim projekt-rezolutën “Për mbështetjen e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian

Më pas komisioni  kaloi në shqyrtimin e Projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2018 për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në BE në sektorin ekonomik”. E ftuar për të folur rreth këtij projektligji, ishte znj. Belinda Ikonomi, zëvendësministre në ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.Në fjalën e saj znj.Ikonomi theksoi se:” Kjo marrëveshje është propozuar nga pala gjermane, nisur nga dëshira për t’i forcuar e thelluar këto marrëdhënie miqësore nëpërmjet bashkëpunimit teknik, si partnerë, të ndërgjegjshëm se ruajtja e këtyre marrëdhënieve përbën bazën e kësaj marrëveshjeje, me qëllim për të kontribuar në zhvillimin social dhe ekonomik në Republikën e Shqipërisë, duke iu referuar premtimit financiar të Republikës Federale të Gjermanisë në protokollin e bisedimeve qeveritare të datës 22.10.2018.Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët, projektligji në fjalë u miratua në parim , nen për nen dhe në tërësi.

  Komisioni vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian-Shqipëri, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë më cilësinë e vëzhgueses, në punën e Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore dhe mënyrën e kësaj pjesëmarrje në kuadrin e rregullores së Këshillit (KE), nr. 168/2007”. Për të folur rreth këtij projektligji e ftuar në komision ishte znj.Fjoralba Caka, zëvendësministre në ministrinë e Drejtësisë. Znj Caka, pasi bëri një prezantim të punës së Agjencisë së Bashkimit Europian për të Drejtat Themelore,foli dhe për interesin që ka Shqipëria për t’u anëtarësuar në të.

“Iniciativa për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë, si vëzhguese, në Agjencinë Themelore të të Drejtave të Njeriut, ka filluar në vitin 2013, nëpërmjet letrës së ministrit për Punët e Jashtme, drejtuar Komisionit Evropian, i cili ka shprehur interesin për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë me statusin e vëzhguesit tek Agjencia. Komisioni, nëpërmjet letrës së datës 20 dhjetor 2013, është shprehur se do të përcjellë propozimin për Këshillin e Stabilizim–Asociimit Bashkimi Evropian - Shqipëri. Kusht i domosdoshëm për aplikim ka qenë marrja e statusit të Shqipërisë si vend kandidat në qershor 2014, duke nxitur interesin e Komisionit për të aplikuar për statusin e vëzhguesit”

Komisioni, pas pyetjeve dhe diskutimeve nga anëtarët, miratoi , në parim, nen për nen dhe në në tërësi,projektligjin në fjalë.

 



Share