Mblidhet Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik

  • Postuar më, 14/10/2019

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit përgjegjës, filloi shqyrtimin  nen për nen të projektligjit “Për Rininë”.

Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Besa Shahini, dhe përfaqësues të tjerë kësaj ministrie.

Relatore e projektligjit ishte deputetja Almira Xhembulla, e cila bëri propozime për ndryshime në nene të caktuara, duke u mbështetur kryesisht në propozimet e Komisionit të Ligjeve.

“Gjatë muajit korrik ne e kami kaluar në parim këtë projektligj, duke dëgjuar qoftë shpjegimet e znj. Ministre, qoftë komentet dhe sugjerimet e aktorëve të interesit në séancë dëgjimore me ta. Ndërkaq, u lamë kohën e nevojshme komisioneve të tjera për dhënie mendimi, veçanërisht atij të Ligjeve, duke qenë se shumica e problematikave të shtruara edhe nga shoqëria civile lidheshin kryesishte me riformulime që  kishin të bënin me  teknikën legjislative”, u shpreh zonja Xhembulla. 

Ndërmjet diskutimeve dhe propozimeve, anëtarët e komisionit miratuan ndryshime në një pjesë të neneve të projektligjit: “Për rininë”. Diskutimin nen për nen dhe në tërësi Komisioni do ta vijojë në mbledhjen e datës 15 tetor 2019.  

Si pikë të dytë të rendit të ditës, Komisioni, i informuar nga Shërbimi i Monitorimit të Kuvendit mbi përfundimin e mandateve të kryetarit dhe dy anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizuale, bazuar në nenin 10, pika 2 të ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” miratoi vendimet për shpalljen e 3 vendeve vakante në AMA.



Share